Kaloni te përmbajtja kryesore

Raporti i KE për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim

Komisioni Europian vlerëson se Reforma në Drejtësi ka forcuar qëndrueshmërinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, por evidenton se vijojnë përpjekjet për ndikim të padrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë.

Në raportin vjetor për shtetin e së drejtës, KE thekson se gjatë periudhës së raportimit janë konstatuar përpjekje nga zyrtarë publikë dhe politikanë, përfshirë nivele të larta të administratës shtetërore, për të ushtruar ndikim publik mbi institucionet e drejtësisë.

Raporti nënvizon gjithashtu vijimin e sulmeve personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet, përfshirë edhe përfaqësues të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas dokumentit të Komisionit Europian, tetë magjistratë janë vendosur nën masa mbrojtjeje për shkak të kërcënimeve dhe presioneve të mundshme. Në mesin e tyre janë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë, përfshirë prokurorë të SPAK dhe ish-kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioni Europian i referohet edhe përplasjeve institucionale të shkaktuara pas vendimeve të drejtësisë ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Në raport përmendet pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë me vendim të Gjykatës së Posaçme, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar.

Sipas KE-së, këto zhvillime sollën reagime të forta nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, përfshirë kritika dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Ndërkohë, organet drejtuese të sistemit të drejtësisë reaguan duke denoncuar presionin politik ndaj gjyqësorit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button