Qytetarët të shumtë në oborrin e QKUK-së derisa Thaçi po qëndronte më babin e tij

Gjatë qëndrimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi në Klinikën Interne të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, qytetarë të shumtë qëndruan pranë këtij objekti, raporton KosovaPress.
Burra dhe gra të moshave të ndryshme qëndruan aty që prej orës 11:00 kur Thaçi erdhi për ta vizituar babain e tij të sëmurë.
Ata u shprehën të emocionuar derisa thonë se ish presidenti Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë. Ata besojnë se shumë shpejtë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kthehen fitimtar në Kosovë, transmeton KosovaPress.
Skender Hamiti thotë se u ndje mirë dhe i emocionuar kur pa ish-presidentin Thaçi derisa po hynte në Klinikën Interne.
“E kam parë se kam qenë këtu afër spitalit dhe kuptova se po vjen dikush, atëherë vendosa të pres se kush po vjen. Ashtu që e pashë si erdhi. Mirëseardhje për të…U ndjeva shumë mirë. Keq nuk u ndjeva. Ka qenë presidenti jonë dhe një ushtar, një komandant pa marrë parasysh. Shpresoj që sa më shpejtë të lirohet…A u ndjetë i emocionuar. Pak po, njeriu kur nuk e sheh një njeri një kohë të gjatë edhe të burgosura ata njerëz çfarë nuk kanë në ish Jugosllavi dhe Serbia dhe nuk po i mbajnë, e këta tonët po i mbajnë pa arsye fare. A iu duk më ndryshe se prej kur e keni parë për herë të fundit? Po mirë ishte, ashtu si ka shkuar ishte me gjendje të mirë shëndetësore”, thotë Hamiti.
Din Bytyqi derisa tregon se me të dëgjuar nga njerëzit e tjerë se Thaçi gjendet në QKUK erdhi për ta parë atë. Sipas tij, gjendja shëndetësore e babait të ish-presidentit është e rëndë.
“5 vite robëri është e tepërt pa asnjë arsye, pa asnjë shkas vetëm që munden të na e bëjnë këtë padrejtësi popullit tonë. A do të vazhdojë direkt për në Hagë? Nuk kam informacione nuk e di…Nuk pata mundësi të bisedoja vetëm e pashë si gjithë të tjerët…Kam dëgjuar që vjen dhe kam ardhur, kam dëgjuar prej njerëzve. Si është gjendja e babit të Thaçit? Nuk është gjendja e mirë, është gjendja e rëndë”, tregon Bytyqi.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari thotë se viziton vazhdimisht Thaçin, Kadri Veseli dhe të tjerët. Ai shprehet i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen nga akuzat shumë shpejtë dhe do të kthehen në Kosovë.
“Më kishte marrë malli. Unë jam nga ata që vizitoj zotëri Thaçi, Kadri Veselin dhe të tjerët në Hagë vazhdimisht. Shkoj marrë pjesë edhe në gjyqin e tyre. Sepse besoj që duhet të bëjmë. Kjo është më e vogla që ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë më shumë për ata…Ata nuk duhet të jenë atje. Ata duhet të jenë këtu. Ata do të jenë këtu. Me shpirt dhe me zemër ata janë me neve…Gjyqësia do të bëjë punën e saj, ata do të kthehen fitimtar, çlirimtar ashtu siç e kanë bërë historinë dhe punën. Jam shumë i bindur se këtë vit do të kthehen shumë shpejtë”, u shpreh Bajraktari.
Edhe Nazmi Thaçi, vëllai i ish-presidentit, ka pritur para kësaj klinike bashkë me qytetarë të tjerë dhe media, transmeton KosovaPress.
Pas disa kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka aprovuar kërkesën Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij të sëmurë, transmeton KosovaPress.
Në refuzimet e mëhershme, Specialja vlerësonte se gjendja e babait të Thaçit “nuk është aq e rëndë”.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi për KosovaPress se e kanë lejuar vizitën e Hasim Thaçit në Kosovë “për arsye humanitare” që i njëjti të vizitoi babain e tij që ndodhet në spital.
“Po, mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, tha një zëdhënës i gjykatës.
Thaçi ndodhet në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?