Pse ari konsiderohet një strehë e sigurt?

Çmimi i arit ka arritur sërish nivele rekord pasi investitorët janë kthyer masivisht drejt këtij metali të çmuar mes pasigurisë ekonomike dhe trazirave në tregjet financiare botërore këtë vit.
Të premten, çmimet e shufrave të arit u hodhën mbi 3.200 dollarë për ons, të nxitura nga rritja e tensioneve në luftën tregtare SHBA-Kinë.
Por pse ari konsiderohet një strehë kaq e sigurt për kapitalin?
Sipas Royal Mint nga Britania e Madhe, e cila prodhon monedha zyrtare britanike, statusi i arit si një “strehë e sigurt” bazohet në vlerën e tij të brendshme dhe rëndësinë historike.
“Investitorët i kthehen arit për stabilitet – është një burim i përjetshëm mbi të cilin mund të mbështeten. Ndryshe nga monedhat e letrës, të cilat mund të humbasin vlerën për shkak të inflacionit ose goditjeve ekonomike, vlera e brendshme e arit mbetet konstante”, tha Royal Mint.
Ari ka qenë i vlefshëm për njerëzimin për shekuj. Është e rrallë, por jo e paarritshme dhe ka një pikë shkrirjeje relativisht të ulët, kështu që mund të përpunohet lehtësisht në monedha ose bizhuteri.
Për dallim nga ari, pasiguria ka vazhduar të dominojë tregjet globale të aksioneve ndërkohë. Indeksi S&P 500 përfundoi me 3.5 për qind më të ulët të enjten dhe tani është rreth 15 për qind poshtë nga niveli i tij më i lartë në shkurt.
Indekset aziatike ndoqën rënien e Wall Street të premten, me Nikkei të Japonisë që ra gati 5 për qind dhe aksionet e Hong Kongut po shkojnë drejt rënies së tyre më të madhe javore që nga viti 2008.
Shitja në thesaret e SHBA-së, e cila kishte tërhequr vëmendjen e Trump para pushimit të së mërkurës, u përshpejtua sërish të premten.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?