Policia rrethon objektin e Televizionit “News 24” në Shqipëri

Mëngjesin e kësaj të shtunë, që prej orës 07:00 të mëngjesit, policia u shfaq në mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës.
Policia kërkoi mos futjen e gazetarëve në godinë dhe zbrazjen e saj.
Në këtë godinë aktualisht ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, ndërsa ende nuk ka një shpjegim zyrtar nga autoritetet se cili është qëllimi.
Vetë grupi mediatik e quan një sulm që ndodh ndaj fjalës së lirë, ndërsa thonë se kërkesa e autoriteteve është se godina duhet t’i kalojë kompanisë shtetërore “KAYO”.
Prej orës 07:36, sinjali i News24 u ndërpre dhe televizioni nuk është në transmetim.
Prej momentit të parë të njoftimit të aksionit të policisë, politika dhe drejtues të opozitës kanë reaguar ashpër dhe e quajnë një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë.
Sulm të paprecedentë e quajnë edhe organizatat dhe shoqatat e medias.
Rrjeti ‘SafeJournalists Shqipëri’ shkruan se “ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksitë e tyre dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar.
Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias”./oranews
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?