Policia: Njoftimi i rremë për bom*ë te stacioni i autobusëve në të dy rastet u bë nga një numër telefonik në Serbi

Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).
“Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike”.
Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, “nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia informon se ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.
“Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore”, thekson policia..
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?