Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani, këtë javë, ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përmes komunikatës së lëshuar për media, Policia thotë se në periudhat 2022,2023 dhe 2024 janë realizuar 230 trajnime brenda dhe jashtë vendit.
“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, njofton lidhur me planifikimet dhe angazhimet policore në fushën e trajnimeve dhe avancimeve profesionale, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme policore. Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.
Sipas reagimit të tyre, Policia e Kosovës në vazhdimësi, e edhe këtë javë ka nominuar zyrtarë për pjesëmarrje në trajnime në ShBA, dhe se ka “raporte të jashtëzakonshme” me ShBA-në dhe ambasadën e tyre në Prishtinë.
Poashtu, Policia e Kosovës thotë se i marrin me seriozitet deklarimet që lidhen me Ambasadën Amerikane në fushën e sigurisë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm, teksa shtojnë se Policia e Kosovës është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen.
“Trajnimet e ofruara nga SHBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga SHBA-ja për këto njësi. Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA. Policia e Kosovës, vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë”, thuhet në reagimin.
Poashtu, Policia e Kosovës thotë se i marrin me seriozitet deklarimet që lidhen me Ambasadën Amerikane në fushën e sigurisë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm, teksa shtojnë se Policia e Kosovës është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen.
“Po ashtu PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në. PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të. Policia e Kosovës, udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?