Kaloni te përmbajtja kryesore

Peach: E ardhmja e Kosovës është ajo e një republike multietnike

I dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach ka thënë se Britania mbështet në mënyrë absolute normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Peach dënoi organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin qytetarët e armatosur serbë sulmuan policinë e Kosovës, në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

Britaniku e quajti atë një “incident të rëndë” dhe theksoi se autoritetet e Kosovës po bashkëpunojnë plotësisht në hetim, “gjë që e ka theksuar edhe gjatë bisedimeve në Bruksel”.

Ai shtoi se sasia e armëve të gjetura mund të jetë destabilizuese për Kosovën, për këtë arsye vlerësoi veprimet profesionale dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës.

“Nga normalizimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dy vendeve, por edhe rajoni më i gjerë, duke përfshirë edhe Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është ajo e një republike multietnike”, tha Peach.

Lidhur me Malin e Zi dhe qeverinë e re atje, e cila ka mbështetjen e partive pro-ruse dhe pro-serbe, Peach tha se ka treguar hapa pozitivë në reformën e shtetit të së drejtës dhe emërimin e gjyqtarëve, gjë që është njohur nga Britania dhe BE-ja.

“Qeveria malazeze duhet të inkurajohet të ruajë ose përshpejtojë atë trajektore”, tha Peach, duke theksuar rëndësinë e Malit të Zi si një anëtar i NATO-s.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button