PDK: Të dorëhiqet narko-trafikanti i VV-së, të nisin hetimet për “Aferën Droga”

Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se është jashtëzakonisht shqetësuese që Besnik Mujeci është caktuar aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”.
Retkoceri ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit nisjen e hetimeve për siç e ka quajtur ai “Afera Droga” pas arrestimit të Mujecit, të cilit, si pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, u janë zënë mbi 11 mijë doza drogë, që kapin shumën rreth gjysmë milioni euro.
Ai ka deklaruar se “sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë”.
“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike ‘Stacioni i Autobusëve’. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike ‘Stacioni i Autobusëve’, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrjeje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, shtoi ai.
Ai ka thënë se PDK-ja në Prishtinë ngre dyshimet se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandës dhe shitjes së drogës.
Retkoceri ka thënë se e kërkojn dorëheqjen e parevokueshme të asamblistit Mujeci, i cili sipas tij “ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar, si dhe llogaridhënie nga të gjithë të përfshirët në këtë aferë”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?