Kaloni te përmbajtja kryesore

Pas Osmanit, Chollet shkoi te Kurti

(Lajm i përditësuar)
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet  është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Takimi po mbahet në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Para se të arrijë në kryeministri, ai fillimisht ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. Detajet nga takimet ende nuk janë bërë të ditura.
13:27- Chollet mbërrin në Prishtinë, pritet nga Osmani
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka arritur në Prishtinë, ku është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Chollet do të takohet me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Siç ka njoftuar DASH, me krerët e institucioneve në Kosovë, Chollet pritet të bisedojë për integrimin euroatlanik përrfshirë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë, bazuar në njohje reciproke.
Pas Kosovës, këshilltari amerikan pritet të vizitojë edhe Serbinë.
 07: 12 – Chollet në Prishtinë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse
Këshilltari i Lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Dereck Chollet, arrin të mërkurën në Prishtinë për takime me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues politikë dhe të shoqerisë civile. Ai do të takojë pas mesditës presidenten Osmani dhe pas saj edhe kryeminstrin Kurti.
Chollet nis turneun e tij tre ditor diplomatik në vendet e Ballkanit Perëndimor, fillimisht me vizitën në Shkup me një delegacion të veçantë të agjencive të ndryshme për takime me zyrtarët maqedonas rreth një numër çështjesh, përfshirë edhe atë të luftës kundër korrupsionit.
Vizita e Chollet në Prishtinë, menjëherë pas Shkupit, bëhet me synim për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimet evropiane të Kosovës, përfshirë edhe arritjen përmes dialogut të lehtësuar nga BE të një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, ka bërë të ditur Departamenti Amëerikan i Shtetit.
Këshilltari Choillet pritet që më 12 janar të vazhdojë udhëtimin e tij në Beograd për të diskutuar me udhëheqjen serbe për çështjen e sigurisë energjetike, përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Në një kumtesë të DASH thuhet se ai do të diskutojë gjithashtu për rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale si dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialog për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Vizita në Kosovë dhe Serbi e këshilltarit të lartë në DASH, Derek Chollet, pason një periudhë të vështirë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me tensionet në veri të vendit. Vizita e tij që planifikuar në muajin dhjetor por ajo u shty për janar 2023 pasi, siç u tha, rezultoi pozitiv në testet e coronavirusit.
Vizita e tij në rajon përputhet edhe me një vizitë tjetër të dy të dërguarve evropian dhe amerikan, Lajçak e Escobar, në përpjekje për të rikthyer në binarë procesin e dialogut, që u ndërpre prej shumë muajsh. Gjithë përpjekjes diplomatike ndërkombëtare pritet t’i bashkohen edhe dy këshilltarët e presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz.
Një propozim evropian, që fillimisht u cilësua si franko gjerman, i mbështetur nga SHBA-ja është në tavolinën e Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës Kurti e cilësoi dokumentin si një bazë e mirë për diskutim, por fajësoi Beogradin zyrtar se e ka refuzuar atë dhe se është futur në procesin e destabilizimit të Kosovës./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button