Osmani- zyrtarit të BE-së për sulmin në Banjskë: Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja

Presidentja Osmani priti në takim Zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit me të Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç.
“Presidentja theksoi se ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e dëshmojnë dëshmitë e shumta të siguruara nga institucionet tona të sigurisë.”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?