Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani tha se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM, me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani, në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.
Siç ka informuar Presidenca, përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.
Nga ana tjetër, Osmani ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.
“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Presidentja Osmani./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button