Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani: Policët e rënë janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt

(Lajm i përditësuar)


Presidentja Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin Enver Zymerin, dhe të gjithë policët e rënë në detyrë.

“Trembëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymeri ra në krye të detyrës në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, për të cilën gjë i përkulemi sot e përjetësisht. Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe kolegëve të rënë në detyrë janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe. Trashëgimia e tyre është testament i ndershmërisë, qëndrueshmërisë dhe patriotizmit”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë ditë, i kujtojmë edhe të gjithë policët e rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Osmani tha se policët e rënë janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë.


Konjufca: Afrim Bunjaku e Enver Zymeri që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun 

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ministri i Punëve të Brendshme, kanë vizituar familjen e heroit kombëtar, Enver Zymeri në 13-vjetorin e rënies së tij.

Nga aty, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se rënia e policëve në krye të detyrës, tregon shembullin për ta mbrojtur atdheun kur rrezikohet e sulmohet.

“Po siç e dini sot jemi në përvjetorin e rënies së heroit Enver Zymeri është caktuar edhe dita e rënies së policëve për t’i përkujtuar ata. Ishim edhe në familjen e Afrimit e tash te familja e Enverit dhe shprehëm rëndësinë që e ka kjo datë e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë por të gjithë atyre u prin Afrim Bunjaku e Enver Zymeri që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë nga Serbia, për ta mbrojtur kur u sulmua nga Serbia në të dy rastet dhe ky është shembulli më i vlefshëm e të cilin duhet ta kujtojmë sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja. Kështu bën Afrimi dhe Enveri sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre sepse nuk u frikësuan që ta japin jetën”, u shpreh Konjufca.


Gërvalla: Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit, burim frymëzimi dhe krenarie 

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka përkujtuar heroin Enver Zymeri në 13 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, ajo thotë se heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne.

Gjatë mëngjesit të sotëm, ministrja bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin e drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, kanë bërë nderime pranë Lapidarit të policëve të rënë në mbrojtje të rendit kushtetues.

Më poshtë lexoni postimin e plotë të Gërvallës:

Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Kosovës, Republika e Kosovës është sot më e sigurtë dhe më sovrane. Falë kësaj vendosmërie të Policisë dhe përkushtimit të Qeverisë, kemi arritur të shtrijmë sovranitetin, rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit.

Në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës dhe në 13 vjetorin e rënies së Heroit Enver Zymeri, bashkë me Kryeparlamentarin Konjufca, Zëvendëskryeministrin Bislimi, Ministrin Sveçla dhe Drejtorin e Policisë, Hoxha, bëmë nderime pranë Lapidarit të Policëve të rënë në mbrojtje të rendit kushtetues.

Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne.

Lavdi e përjetshme atyre që ranë për lirinë dhe sigurinë e Kosovës!

Lavdi heroit tonë, Enver Zymeri!


Sveçla për Enver Zymerin: Shembull dhe motiv i qindra vajzave e djemve të Kosovës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka kujtuar heroin Enver Zymeri, në 13-vjetorin e rënies së tij heroike.

Sveçla thotë se Zymeri u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vjet pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Kosovës.

Pos kësaj, ministri përmes një postimi në “Facebook” kujtoi edhe Afrim Bunjakun i cili u vra në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë më 24 shtator, dhe policët e tjerë të rënë në kryerje të detyrës.

Postimi i plotë të tij:

13 vjet nga rënia në krye të detyrës e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Enver Zymeri.

13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, Heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës.

Në nderim të sakrificës sublime të Hero Enver Zymerit, prej tre vitesh 26 korrikun e shënojmë si Ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës. Listës së të rënëve, shokëve të tij të lavdisë, këtë vit i është shtuar Heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë me 24 shtator.

Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës.

Lavdi e përjetshme Heroit Enver Zymeri!

Lavdi e përjetshme 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës!


Krerët e shtetit bëjnë homazhe pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe pranë lapidarit të policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Homazhet janë bërë në shënim të Ditës Memoriale të Policëve të rënë dhe 13 vjetorit të vdekjes së heroit Enver Zymeri.


Policët e rënë në detyrë gjatë viteve

Sindikata e Policisë së Kosovës ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të rënë në krye të detyrës gjatë viteve.

Policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llaptinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi, Arben Sejdiu dhe Afrim Bunjaku.

Në postimin e sindikatës, me rastin e Ditës Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, thuhet se këta heronj janë “simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”.

“Sot, në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Këta heronj janë simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona. Lavdi përherë heronjve të Policisë së Kosovës!”, thuhet në postim.

Me rastin e ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri, sot do të mbahen disa aktivitete.

FIllimisht në orën 10:00, do të bëhen homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë kryerje të detyrës.

Pastaj në orën 14:00, do të bëhen homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri

Në fund, do të mbahet gara profesionale të kërcimit në nderim të policëve të rënë në kryerje të detyrës, tek Liqeni i Ujmanit, ura e parë.


Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë, Kurti: Me policë trima, Kosova i del zot territorit 

Sot janë bërë 13 vjet që kur polici Enver Zymeri është vrarë në veri të vendit.

Kryeministri Albin Kurti, thotë se në këtë përvjetor të tij, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër.

“Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, shtoi ai, në postimin në Facebook.

“Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Ai vlerëson se besimi në Policinë e Kosovës i vetë qytetarëve në veri të vendit duke përfshirë edhe ata serbë, është rritur ndjeshëm në kohët e fundit, ndërsa thotë se prania, patrollimet dhe kujdesi i policëve u ofron siguri, rregull dhe paqe të gjithë qytetarëve të asaj zone.

Kurti tha se operacioni i Policisë së Kosovës kundër grupit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, është dëshmia më e mirë e nivelit të policëve të vendit dhe e faktit që angazhimi dhe rënia e Zymerit nuk kanë shkuar kot.

“Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj”, u shpreh Kurti.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button