Osmani: Jam i bindur se presidenti francez thotë “maqedonas të veriut” pa fyerje
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sonte në emisionin “10 minuta” ka treguar se është i bindur se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk na quan “maqedonas të veriut” pa sharje.
“Nuk është e rastësishme, sigurisht që duhet të ketë reagim, por duhet kuptuar se gabime të tilla ka pasur edhe në disa raste të tjera, ku menjëherë, ata që i dinë specifikat, korrigjohen dhe kërkojnë falje”, ka thënë ai.
Osmani ka zbuluar se bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit francez kanë ardhur në Shkup dhe Sofje për të gjetur një zgjidhje.
“Bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Macron, në kushte mes dy cikleve zgjedhore, erdhën në Shkup, Sofja na kontaktonte çdo ditë. Ne kemi zgjidhur shumë nga pyetjet në lidhje me kornizën. “Në kornizë ka mbetur vetëm një çështje që nuk ka mundur të harmonizohet, ajo është çështja e protokollit në kuadër”, ka thënë Osmani.
Ministri ka shtuar se “kjo nuk ishte e pranueshme për ne, por Bullgaria këmbënguli”.
Osmani i ftuar në TV21, ka theksuar se ai personalisht është në komunikim të vazhdueshëm me presidencën franceze, por edhe me palën bullgare. Ai ka thënë se e rëndësishme është të arrihet një marrëveshje që do të kënaqë të dyja palët, kjo në linja të përgjithshme.
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me presidentin francez, edhe me palën bullgare, për të arritur edhe njëherë, po e përsëris, të arrijmë në një dakordësi në linja të përgjithshme. Çfarëdolloj marrëveshje të arrijmë, duhet të kënaqi të dyja palët, edhe ne edhe Bullgarinë. Mendoj se kemi arritur progres, veç fakti që Bullgaria ka pranuar të kaloj propozimin francez, do të thotë se duan të arrijnë në një marrëveshje”, ka thënë Osmani./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?