Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike, triumf për demokracinë

(Lajm i përditësuar)
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike, triumf për demokracinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka pritur në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Folën edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.
Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.
Përfundon takimi i Osmanit me kryesuesin e OSBE-së
Përfundon takimi i ministrit të Punëve të Jashtme të Maltës, Ian Borg me presidenten Osmani.
Ndërkohë, që në orën 17:00 pritet që të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Osmani takohet me kryesuesin e OSBE-së
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryesuesin e OSBE-së, i cili është edhe ministër për Punë të Jashtme, Evropë dhe për Tregti i Maltës, Ian Borg.
Takimi është mbajtur në objektin e presidencës dhe mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.
Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës sot në Kosovë
Kryesuesi i radhës i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, do ta vizitojë sot Kosovën për të diskutuar rreth angazhimit të OSBE-së dhe për t’u takuar me liderët politikë.
Gjatë vizitës së tij, kryesuesi Borg do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz.
Ai gjithashtu do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takojë pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.
Sipas njoftimit, kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave. Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE. Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?