Operacioni “Banakieri”, kapen dy persona për narkotikë në kryeqytet

Njësia e antidrogës në rajonin e Prishtinës, pas një pune hetimore disamujore, ka arrestuar dy persona në kryeqytet, nën dyshimet se janë përfshirë në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike.
Arrestimet janë kryer në lagje të ndryshme të kryeqytetit si pjesë e operacionit të koduar “Banakieri”, me qëllim të luftimit të shpërndarjes së drogës në nivel rrugor, raporton KosovaPress.
Gjatë kontrollit trupor dhe në lokacione të dyshuara janë sekuestruar rreth 626 gramë marihuanë, një cigare e mbushur me të njëjtën substancë, para të gatshme dhe pajisje për matje dhe paketim. Vlera e tregut e substancës së konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 3 mijë euro, raporton KosovaPress.
Njësia e Forenzikës Rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes për të dokumentuar dhe konfiskuar provat materiale. Pas procedurave të nevojshme, të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e policisë për intervistim dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?