OEK: Largimi i Kosovës nga CEFTA – humbje deri në 300 milionë euro

Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën që zbaton ndaj importit të mallrave nga Serbia, dhe rrjedhimisht, siç vlerësojnë ata, shkel parimet e CEFTA-s.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vlerëson se institucionet nuk duhet të shpërfillin këto paralajmërime, pasi, siç thotë ai, humbjet për Kosovën do të jenë shumë të mëdha.
“…nuk duhet injoruar këto paralajmërime për përjashtim. Duhet ta gjejmë një zgjidhje. Humbja e parë do të ishte për prodhimet tona. Sepse prodhuesit tanë të shkojnë në tregun rajonal dhe në momentin që dalim nga CEFTA atëheë do të vendoset tatimi doganor. Humbjet për Kosovën do të jenë 300 milionë. Shuma e eksporteve të vlerës së mallrave që eksportojmë në vendet e CEFTËS është 300 milionë. Ndërsa importojmë 700 milionë….”, tha Rafuna për rtv21
Për profesorin e ekonomisë Safet Gërxhaliu, përjashtimi i Kosovës nga kjo nismë, do të ishte një goditje e rëndë sidomos për produktet vendore.
“…Unë besoj së kosovarët duhet ta kuptojnë rëndësinë e partneritetit strategjik qoftë më SHBA-në, apo këdo. Cdo izolim apo vetizolim në CEFTA apo në procesin e Berlinit do te ketë dëme të shumta për ekonominë e Kosovës, por edhe në aspektin politik e integrues, në këtë drejtim vet izolimi nga CEFTA do të ishte grushti më i rrezikshëm ndaj produketeve “Made in Kosova”. Në këtë drejtim dialogu nuk ka alternativë dhe nuk duhet Kosova të jetë vijë e zezë e Ballkanit. Duhet të ketë dialog, partneritet. Izolimi është dënimi më i madh i Kosovës…”, tha Gërxhaliu.
Përjashtimi i mundshëm i Kosovës nga marrëveshja e CEFTA-s, sipas analistit politik Arton Demhasaj, përveç problemeve ekonomike e politike, do të ndikonte direkt edhe në integrimin e Kosovës në mekanizmat e BE-së.
“…pasojat politike jane të mëdha sepse këto mekanizma krijohen për ndërlidhje të shteteve në ekonomi por edhe në politikë…”, tha Demhasaj.
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i bëri kërkesë Kosovës për heqje të ndalesës ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, sepse një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s.
Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?