Oda Amerikane i bën thirrje Qeverisë që të adresojë shqetësimet në Deklaratën për Klimën e Investimeve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh vlerësimin e saj pozitiv lidhur me konfirmimin së fundmi të kushtetueshmërisë së Ligjit për Investimet e Qëndrueshme.
“Megjithatë, ndërhyrjet politike në ekonomi, politikat tekanjoze ekonomike dhe dialogu i kufizuar publiko-privat lënë në hije, përpjekjet e kufizuara reformuese, ashtu siç ceket edhe në Deklaratën e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për shmangie të ndërhyrjeve arbitrare të pushtetit, me qëllim të respektimit të parimeve të sundimit të ligjit dhe promovimit të lirive ekonomike, e kjo duhet të përfshijë edhe shmangien nga sulmet verbale ndaj institucioneve të drejtësisë. Sulmet si këto, të bëra edhe ndaj Gjykatës Komerciale, e themeluar dhe fuqizuar edhe më ndihmën e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pashmangshëm ndikojnë në aftësinë e institucioneve të drejtësisë për të kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe objektive. Veprimet e tilla por edhe masat ndëshkimore ndaj disa përmbaruesve privatë, minojnë përpjekjet e gjithëmbarshme për rritjen e sigurisë juridike, e rrjedhimisht edhe tërheqjen e investimeve të huaja në asete productive”, thuhet në reagimin e Odës amerikane.
Kjo odë shpreh shqetësimin e saj edhe me vazhdimin e masave që ndalojnë importet e produkteve finale nga Serbia, për aq kohë sa lëndët e para dhe materialet gjysmë të gatshme lejohen të importohen pa pengesë, në kundërshtim me frymën e promovimit të lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe në kundërshtim me zotimet që Kosova ka pranuar në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian. Ashtu siç ceket në Deklaratën e Klimës së Investimeve të Departamentit të Shtetit, ndalesa e importit ka ndikuar negativisht në kompanitë që janë në pronësi të huaj dhe ashtu siç është thënë në mënyrë të përsëritur nga Oda Amerikane se ndalesa e tillë godet direkt interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe shteteve të tjera partnere brenda Bashkimit Evropian. Barrierat e tilla çrregullojnë zinxhirët e furnizimit, trazojnë tregjet dhe kanë ndikim direkt tek konsumatori fundor.
“Oda Amerikane thekson edhe renditjen shqetësuese të Kosovës në Indeksin e Lirive Ekonomike të organizatës Heritage Foundation në tri vitet e fundit, si vend me liri mesatare ekonomike, respektivisht i 37-ti në mesin e 44 shteteve të Evropës, me 60.6 pikë në vitin 2024 kundrejt 67.9 në vitin 2017”.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Qeverisë që të adresojë me prioritet shqetësimet e sipërcekura që burojnë nga Deklarata e Klimës së Investimeve e Departamentit të Shtetit Amerikan.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?