“Nga Prishtina në Zvicër: Aurora Cakolli dhe Liza Hoxha hapin kapitullin e parë të partneritetit me Yverdon Sport Women”

Dy futbollistet e KFV Prishtina, Aurora Cakolli dhe Liza Hoxha, kanë nisur një periudhë prove dyjavore te klubi zviceran Yverdon Sport Women, duke shënuar hapin e parë konkret të partneritetit strategjik ndërmjet dy klubeve.
Ky bashkëpunim, i cili u formalizua në Nyon në kuadër të programit të UEFA Foundation for Children, po fillon të japë rezultatet e para, duke krijuar mundësi reale për zhvillimin ndërkombëtar të futbollisteve të reja nga Kosova.
Aurora Cakolli dhe Liza Hoxha do të stërviten për dy javë me ekipin e Yverdon Sport Women në Zvicër, ku do të kenë mundësinë të demonstrojnë cilësitë e tyre në një ambient profesional, të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të njihen nga afër me standardet e futbollit zviceran.
Ky nuk është bashkëpunimi i parë ndërmjet dy klubeve. Në muajin shkurt, me mbështetjen e sponsorit të përbashkët Orllati, KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women organizuan një kamp të përbashkët përgatitor, ku futbollistet dhe trajnerët e të dyja skuadrave shkëmbyen përvoja dhe zhvilluan aktivitete sportive në kuadër të përgatitjeve për sezonin duke e përmbyllur me një ndeshje miqësore me ekipet e senioreve.
Periudha provuese e Aurorës dhe Lizës është vazhdimësi e natyrshme e këtij partneriteti dhe dëshmi se bashkëpunimi nuk mbetet vetëm në nivel institucional, por po krijon mundësi konkrete për lojtaret.
Nga KFV Prishtina theksojnë se ky është vetëm fillimi i një projekti afatgjatë, i cili synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi ndërkombëtar dhe t’u ofrojë vajzave nga Kosova mundësi për zhvillim sportiv, arsimor dhe profesional në klubet evropiane.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm zhvillimi i klubit, por krijimi i një rruge të qartë drejt futbollit ndërkombëtar për vajzat e Kosovës. Aurora dhe Liza janë të parat që përfitojnë nga ky partneritet, por besojmë se shumë futbolliste të tjera do ta ndjekin këtë rrugë në vitet në vijim.”
KFV Prishtina ka shprehur mirënjohje për Yverdon Sport Women për besimin dhe angazhimin në zhvillimin e futbollit të vajzave, si dhe për kompaninë Orllati, mbështetja e së cilës ka qenë vendimtare në realizimin e iniciativave të përbashkëta ndërmjet dy klubeve.
Partneriteti ndërmjet KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women po shndërrohet në një model bashkëpunimi që synon të krijojë mundësi të reja për futbollistet e reja kosovare, duke i afruar ato me futbollin evropian dhe duke dëshmuar se investimi në zhvillimin e vajzave sjell rezultate konkrete brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?