Në trupin e balenës së ngordhur gjendet qelibar me vlerë gjysmë milioni euro

Pasi një balenë ngordhi në një plazh në ishullin Kanarie të La Palma, askush nuk e imagjinonte një thesar të vlefshëm të fshehur në organet e brendshme të saj.
Antonio Fernández Rodríguez, kreu i institutit të shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Universitetin e Las Palmas, ishte i vendosur të zbulonte pse balena kishte ngordhur.
Duke dyshuar për një problem të tretjes, ai inspektoi zorrën e trashë të kafshës – dhe ndjeu se diçka ishte ngjitur fort në atë pjesë të zorrëve, shkruan Guardian, përcjell rtv21.tv.
“Ajo që nxora ishte një gur me diametër rreth 50-60 centimetra që peshonte 9.5 kg. Të gjithë po shikonin kur u ktheva në plazh, por ata nuk e dinin që ajo që kisha në duar ishte qelibar”, tha ai.

Qelibari është një substancë e rrallë, e njohur shpesh si ari lundrues, që ka qenë thelbi i shenjtë i parfumeve për shekuj. Grumbulli që Fernández mbante në dorë vlente rreth 500,000 euro.
Balenat hanë sasi të mëdha kallamarësh dhe sepje, shumica e të cilave nuk mund të treten dhe vjellen. Por disa mbeten, dhe me kalimin e viteve lidhen së bashku në zorrët e balenës për të formuar qelibar. Ndonjëherë, si në rastin e balenës në La Palma, ajo rritet shumë, duke çarë zorrën dhe duke vrarë balenën.
Qelibari ka një aromë si druri i sandalit, por gjithashtu përmban ambrein, një alkool pa erë që mund të rregullojë dhe zgjasë jetën e aromave, prandaj është popullariteti i tij në mesin e parfumeve.
Shtetet e Bashkuara, Australia dhe India kanë ndaluar tregtinë e qelibarit si pjesë e ndalimit të gjuetisë dhe shfrytëzimit të balenave.
Fernández, i cili ka kryer autopsi në më shumë se 1000 balena, tha se sepsa e shkaktuar nga qelibari e vrau balenën, përcjell rtv21.tv.
Instituti po kërkon një blerës dhe Fernández tha se shpresonte se fondet e mbledhura do të shkonin për të ndihmuar viktimat e vullkanit që shpërtheu në La Palma më 2021, i cili shkaktoi më shumë se 800 milionë euro dëme dhe shkatërroi qindra shtëpi dhe biznese.
“Ligji është i ndryshëm në çdo vend. Në rastin tonë, shpresoj se paratë do të shkojnë në ishullin La Palma, ku balena u rrëzua dhe ngordhi”, tha Fernández.
Në një nga digresionet e tij të shumta në Moby-Dick, romancieri Herman Melville i kushton një kapitull të tërë qelibarit, të cilin ai e përshkruan si “të butë, dylli, dhe aq shumë aromatik dhe pikant, saqë përdoret gjerësisht në parfumeri… Kush do të mendonte? atëherë, që zonja dhe zotërinj të tillë të mirë duhet t’i gëzohen vetes një esencë që gjendet në zorrët e palavdishme të një balene të sëmurë! Megjithatë kështu është!”. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?