Në Kirurgjinë Vaskulare kryhet një intervenim i rrallë, zgjati pesë orë

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, është kryer një intervenim kirurgjik i rrallë, i cili sipas ShSKUK-së, ka zgjatur 5 orë, te një pacient i moshës 58 vjeç, ndihmuar edhe nga ekipi i Klinikës së Anesteziologjisë dhe specializantë të Klinikës së Kardiokirurgjisë.
Siç bën të ditur ShSKUK-ja, operacioni kishte të bënte në arteriet kryesore të barkut, ku pacienti thuhet se kishte pesë sëmundje të këtyre arterieve.
“Aorta e barkut 1,5 cm, nën arteriet renale ishte aneurizmatike (e zgjeruar) dhe e tipit inflamator, Aorta abdominale, 3.5 cm nën arteriet renale, kishte një ulçerë penetruese të aortës (Penetrating Aortic Ulcer), e lokalizuar në murin e pasëm, në drejtim të boshtit kurrizor, që është e rrallë në këtë nivel. Ulçerat aortike depërtuese përbëjnë 7.5% (diapazoni 2.3-11%) të të gjitha rasteve të sindromës akute të aortës. Arteria iliaca komune e majtë ishte po ashtu e aneurizmatike”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
“Në vazhdimsi të boshtit iliak, arteria iliaca externa e majtë kishte stenozë (ngushtim) dhe përkundër kësaj, që po ashtu haset shumë rrallë. Boshti i arterieve iliake në anën e djathtë ishte me arteriomegali (artrerie të zgjeruara që përfshijnë tërë gjatësinë e arteries). Nga e kaluara e tij mjekësore pacientit në fjalë, para tre vjetësh i ishte bërë zëvendësimi i arteries femorale komune dhe arteries femorale profunda të djathtë, me graft vaskular (PTFE 8 mm), pikërisht për shkak të sëmundjes aneurizmatike të këtyre arterieve”, thuhet tutje në njoftimin e ShSKUK-së.
Nga ShSKUK-ja kanë thënë se për të arritur deri te aorta abdominale dhe vena cava inferior preparimi ishte shumë i vështirë, për shkak të ngjitjeve të shumta që ishin prezente dhe numrit të patogjive në segemntin aorto-iliak.
Megjithëse, pas operacionit, pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?