Në cilat komuna funksionon shërbimi mjekësor në shtëpi?
Në 22 komuna të Kosovës funksionon programi për vizita mjekësore në shtëpi për kujdes të nënës dhe fëmijës. Këtë e ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv Ministria e Shëndetësisë (MSh) përmes një përgjigje elektronike.
“Vizitat në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmiut funksionojnë në 22 komuna të Kosovës: Fushë-Kosovë, Obliliq, Lipjan, Drenas, Shtime, Ferizaj, Kaçanik, Viti, Han i Elezit, Gjilan, Kamenicë, Prizren, Dragash, Pejë, Deçan, Klinë, Gjakovë, Junik, Istog, Skënderaj, Mitrovicë dhe Vushtrri”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Ministria e Shëndetësisë për portalin rtv21.tv ka treguar se cilat shërbime ofrojnë profesionistët shëndetësor gjatë këtyre vizitave.
“Këto janë vizita këshilluese që ofrohen nga dy vizita për gratë shtatzëna dhe nga 5 vizita për femiun e posalindur, që nga dita e tretë pas lindjes deri në moshën 3 vjeçare”, ka thënë MSh-ja duke shtuar se gjatë vizitës matën parametrat shëndetësor të fëmijës dhe shtazënës dhe në rast se identifikohet ndonjë problem shëndetësor referohen te mjeku familjar.
Vizita në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmijëve është program ndërinstitucional. Në këtë program sipas MSh-së janë mbi 600 profesionistë shëndetësor (mjekë dhe infermierë, punëtorë social, edukatore të institucioneve parashkollore) të trajnuar dhe janë pjesë e ekipeve në këto komuna, varësisht ku ka nevojë.
Synim i Ministrisë së Shëndetësisë është që ky program të shtrihet në të gjitha komunat e Kosovës dhe që t’u ofrohen shërbime gjithë qytetarëve.
“Theksi është që vizitat t’u ofrojnë të gjithë qytetarëve e në veçanti grupeve më të cënueshme duke e vazhduar kontinuitetin e shërbimeve në shtëpi me qëllim që të bëhen ndërhyrje të hershme me qëllim të parandalimit të problemeve shëndetësore që në fëmijërinë e hershme dhe për një shëndet të plotë të shtatzënave dhe femijëve”, thuhet në përgjigjen e MSh-së./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?