Nagavci vizitoi shkollën “Xhemajl Kada”: Diskriminimi s’ka vend në shkollat tona
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar mbi rastin e djeshëm në “Festën e Abetares”, pasi 10 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ishin ndarë në sallën ku po mbahej manifestimi.
Nagavci gjatë bisedës me udhëheqës të shkollës dhe mësimdhënës ka thënë se pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese.
“Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka bërë të ditur se për rastin e djeshëm, MASHTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se nga vizita në shkollë u informua se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intensiv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.
“Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.
Mësimet në shkollën “Xhemajl Kada” i ndjekin rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.
Ndryshe, MASHTI deri më tash ka ndarë 500 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas dhe sivjet për herë të parë do të përkrahen me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijohen kuadro që do të punojnë në shkolla./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?