Kaloni te përmbajtja kryesore

Mungesa e inspektorëve, rrezikon sigurinë e ushqimit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ngre alarmin për mungesën serioze të inspektorëve të tregut. Zëdhënësi i agjencisë, Lamir Thaçi, kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet për miratimin e pozitave të reja. Në të kundërtën, thotë ai, në rrezik është jo vetëm ligjshmëria e sistemit, por shëndeti i vetë qytetarëve.

“Aktualisht jemi në një situatë urgjente për të shtuar numrin e inspektorëve, sepse ka regjione që mbulohen vetëm me një apo dy inspektorë. Kjo është tepër e pamjaftueshme, duke pasur parasysh kompleksitetin e detyrës dhe faktin se agjencia lidhet direkt me shëndetin e njerëzve, bimëve dhe kafshëve”, tha Thaçi për RTV21.

Kosova ka aktualisht rreth 70 inspektorë aktivë, shumica e të cilëve janë të përqendruar në pikat kufitare dhe doganore. Por brenda vendit, kontrollet janë të rralla dhe të pamjaftueshme. Shoqata për të Drejtat e Konsumatorëve ka një qëndrim edhe më kritik. Kryetari Selatin Kaçaniku thotë se problemi nuk është vetëm tek numri i vogël i inspektorëve, por edhe tek mungesa e përkushtimit dhe llogaridhënies.

Pasojat nuk janë vetëm administrative, por potencialisht edhe shëndetësore. Nutricistja Urata Rexhepi paralajmëron se mungesa e kontrollit ushqimor mund të çojë në konsum të ushqimeve të pasigurta, duke ndikuar direkt në shëndetin publik.

Në një situatë kur rreziku është real, qytetari mbetet i pambrojtur dhe përgjigja institucionale ende vonon./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button