Mjekët në Gaza thonë se Izraeli u ka thënë atyre që të evakuojnë spitalin kryesor

Mjekët në Gaza thonë se Izraeli u ka thënë atyre që të evakuojnë spitalin kryesor.
Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është duke u shembur. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit parësor atje, tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.
“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, ka thënë al-Kaila.
Izraeli i ka bllokuar dërgesat e reja të karburanteve në Gazë, duke thënë se ato mund të vidhen dhe shfrytëzohen nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai, po ashtu, e ka akuzuar Hamasin se ka grumbulluar qindra mijëra litra naftë dhe se refuzon t’i ndajë ato.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e sigurt të furnizimeve shëndetësore dhe të tjera në spitale, ku çdo ditë trajtohet numër i madh i të plagosurve nga sulmet izraelite.
Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja ka thënë se ka dërguar disa barna dhe furnizime të tjera në katër spitale në Gazën jugore, por se nevojat janë shumë më të mëdha. Spitalet e mbështetura prej saj, po i përdorin gjeneratorët minimalisht – vetëm për operacionet që shpëtojnë jetë, ka thënë agjencia e OKB-së.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?