Mjegulla rreth formimit të Qeverisë së re, VV pa qëndrim!

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ-ja, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se së shpejti do ta thërras mbledhjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, bazuar në afatet kushtetuese. Por, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse ka filluar diskutimet për formimin e Qeverisë. Ndërkohë, kandidati për kryeministër Bedri Hamza ka thënë se është i gatshëm për formimin e Qeverisë nëse dështon partia e parë.
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja i ka vënë në lëvizje përfaqësuesit politik për formimin e institucioneve të reja Kuvendit dhe Qeverisë. Presidentja, Vjosa Osmani, e cila në bazë të afateve kushtetuese duhet që brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja ta thërras seancën konstituive ka thënë se ekipi i saj po e analizon afatin kohor për përgatitjen e seancës..
“Pak më parë ka ardhur edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në presidencën e Republikës së Kosovës, ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Kosovës. Siç e dini ka një afat prej 30 ditësh, është një afat kushtetues, ligjor i cili parashihet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për momentin ekipi ime ligjore është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’iu jap një datë se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi atë”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, as pas certifikimit të rezultateve, gjatë ditës nuk ka pranuar të flas para gazetarëve për këtë çështje.
Kjo shmangie siç duket ka një arsye të fort. RTV21 merr vesh nga zyrtarët brenda LVV-së se ende nuk është marrë një vendim në kryesinë e këtij subjekti politik për të vendosur për hapat e mëtejmë për mundësinë e bashkëpunimeve me subjektet politike për të siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. Po ashtu, LVV-ja nuk e përjashton mundësinë se vendimi në kryesi mund të merret pas konstituimit të Kuvendit.
Derisa LVV-ja të marrë një vendim, PDK-ja si parti e dytë ka shprehur gatishmëri për formimin e Qeverisë së re nëse LVV-ja nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Kandidati për kryeministër Brendi Hamza, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politike, madje as për LVV-në nëse kjo e fundit e fton për diskutime.
“Në rast se partia e parë nuk arrin.. unë jam i gatshëm që t’i marrë përgjegjësitë për formimin e qeverisë. Unë dje kam dhënë dorëheqja nga pozita e të qenit deputet dhe arsyeja është që unë jam kryetar i komunës së Mitrovicës”, ka thënë Hamza.
Kandidati për kryeministër nga PDK Bedri Hamza preferon që bashkë me partitë opozitare ta formojë Qeverinë e re, por duke ia bërë të qartë opozitës se si parti e dytë atij i takon posti i kryeministrit.
“Renditja është e qartë, PDK është partia e dytë i ka 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pas kërkesë se qysh do të duket Qeveria e ardhshme. Radha dihet dhe mbi bazën e kësaj do të diskutohet”.
Posti i kryeministrit po del të jetë problem për bashkëpunim midis partive opozitare, sidomos për PDK-në dhe LDK-në pasi këto dy subjekte synojnë të udhëheqin me Qeverinë e re. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar LDK-në se si parti e tretë po e bllokon bashkëpunimin e opozitës për krijimin e Qeverisë së re duke kushtëzuar me postin e kryeministrit. Por, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një reagimi të enjten mbrëma ka thënë qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar.
“Ja ku e keni të parin. E ka rendin ai. Kur vjen rendi tek ne, nëse vjen ndonjëherë, qëndrimet i keni të qarta; dhe ato nuk ndryshojnë! Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bjen. Ky presion veç po na forcon”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se preferon bashkëpunim me paritë opozitare për formimin e Qeverisë së re./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?