Ministrja serbe kërkon falje pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”: U nxor nga konteksti

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike. Megjithatë, në intervistën e transmetuar në “Kurir TV” para katër ditësh, ajo dëgjohet qartë tek e thotë deklaratën se “po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Ministrja serbe ka pretenduar e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa personat që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.
Ajo falënderoi ata që e mbështetën pas kritikave, veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), pjesë e së cilës është. Por kritikoi edhe opozitën dhe mediat serbe për reagimet ndaj deklaratës së saj, duke i akuzuar se e shfrytëzuan rastin për qëllime politike.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?