Messi: S’kam mundur ta imagjinoj se do ta kem një karrierë siç e kam pasur

(Lajm i përditësuar)
Messi: S’kam mundur ta imagjinoj se do ta kem një karrierë siç e kam pasur
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, ka thënë se s’ka mundur ta imagjinonte një karrierë kaq të madhe siç e ka pasur në futboll.
Ai ka thënë se të “tetë trofetë e Topit të Artë” që i ka fituar janë të veçantë. Messi ka thënë se kurrë s’ka mundur as në ëndërr ta imagjinonte karrierën që ka pasur.
“Nuk kam mundur të imagjinoj se do të kem një karrierë aq të pasur siç kam pasur. Se do të arrij çdo gjë, se do ta kem fatin që kam pasur për të luajtur te skuadra më e mirë në histori. Të fitoj Copa American dhe Botërorin pas gjithë atyre momenteve të vështira me përfaqësuesen”, ka thënë Messi.
Messi fiton Topin e Artë për herë të tetë
Lionel Messi ka fituar Topin e Artë për herë të tetë. Është trofeu kryesor individual në futboll. Messi u shpall më i miri i vitit për faktin se udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit të botës.
Messi është rekordmen sa i takon trofeve të Topit të Artë. I dyti në listë është Cristiano Ronaldo me pesë trofe. Messi së fundi e kishte fituar Topin e Artë në vitin 2021, ndërsa për këtë vit kishte konkurrencë të madhe nga Erling Haaland, sulmuesi i Manchester Cityt. Topin e Artë e ndanë “France Football” që nga viti 1956.
Bonmati fiton Topin e Artë për futbolliste
Spanjollja Aitana Bonmati ka fituar Topin e Artë për futbolliste.
Bonmati fitoi Kupën e Botës me Spanjën, ndërsa fitoi Championsin me Barcelonën.
Bonmati luan në mesfushë.
City shpallet ekipi më i mirë në botë
Mbrëmjen e kësaj të hëne, e më konkretisht, që prej orës, 20:30, në Paris, të Francës po zhvillohet ceremonia e “Topit të Artë”, çmimit më të rëndësishëm individual në botën e futbollit, ku padyshim një garë “e ethshme” pritet mes “pleshtit”, Lionel Messi e “vikingut” Erling Haaland për fitimin e trofeut.
Pas ndarjes së çmimit “Kopa”, “Socrates”, atij për skuadrën më të mirë në futbollin e femrave, çmimit “Yashin” dhe çmimit “Gerd Muller”, tashmë është përcaktuar dhe ekipi më i mirë në botë për futbollin e meshkujve.
Ashtu siç pritej, çmimi ka shkuar drejt “qytetarëve” të Manchester City, të cilët sezonin e kaluar arritën triumfin e katërfishtë, ku arritën të triumfonin në Premier League, FA Cup, Champions League dhe Superkupën e Evropës.
Çmimi “Yashin” për portierin më të mirë, e fiton Kampioni i Botës
Emiliano Martinez, portieri kampion Bote me Argjentinën triumfoi në çmimin “Yashin”, si portieri më i mire i vitit.
Numri një i Aston Villa-s u shpreh shumë i lumtur pas çmimit dhe falenderoj të gjithë bashkëlojtarët e tij.
“Një surprizë e madhe, këto janë ëndrrat që i kam ndjekur që në fëmijëri, sot bëhet realitet. Pa shokët e mi të skuadrës, te Aston Villa dhe te Argjentina asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur”.
Haaland golashënuesi më i mirë
Sulmuesi Erling Haaland është shpallur golashënuesi më i mirë i vitit.
Për këtë Haaland është shpërblyer me trofeun “Gerd Mueller” në ceremoninë “Topi i Artë”, që po mbahet në Paris.
Ceremonia e Topit të Artë, nderohet edhe Vinicius Junior
Ka një çmim edhe për Vinicius Junior në ceremoninë e Topit të Artë që po zhvillohet në Paris. Lojtari i Real Madrid u nderua me çmimin “Sokrates”, një çmim që i jepet brazilianit për veprat jashtë fushe.
Vinicius ka financuar hapjen e një instituti në Rio De Janeiro me synimin për të ndihmuar bashkëkombasit e tij, sidomos të rinjtë. Ky çmim është një mirënënjohje e madhe për Vinicius për atë që bën jashtë fushës së lojës teksa tashmë institucioni i brazilianit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje edhe nga sponsorët.
“Jam shumë i lumtur për këtë çmim, që mund të ndihmoj fëmijët. Është gjithashtu një ëndërr e veçantë të jesh i rrethuar nga kaq shumë lojtarë të mëdhenj. Racizmi? “Unë do të vazhdoj fuqishëm luftën, është një gjë shumë e trishtueshme të flasim për racizëm sot, por ne duhet të vazhdojmë në luftë në mënyrë që njerëzit të vuajnë gjithnjë e më pak”, tha Vinicius pasi mori çmimin “Sokrates”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?