Mehaj takohet me homologun turk, diskutojnë rreth vazhdimit të bashkëpunimit

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Turqi, ai në këtë vizitë është i shoqëruar nga Gjeneral Hysen Dreshaj, kolonel Ali Krasniqi, kolonel Astrit Haliti, kolonel Binak Zekaj dhe atasheun e mbrojtjes, kolonel Bekim Zejnullahu. Gjatë ditës së sotme Ministri Mehaj së bashku me delegacion kanë zhvilluar një takim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yaşar Güler.
Ministri Mehaj fillimisht ka uruar Güler për detyrën e re si Ministër i Mbrojtjes, më pas ata kanë diskutuar rreth vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer të deri tashëm me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë si dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.
“Ky bashkëpunim do të vazhdohet në fushën e edukimit, trajnimeve dhe shkollimit të ushtrisë sonë. Partneriteti i ndërtuar me mirëbesim nga të dy palët është i fuqishëm dhe i dobishëm për të dy shtetet tona”, thuhet në komunikatën nga ministria e Mbrojtjes.
Gjithashtu është diskutuar rreth mbështetjes së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Programin për Paqe, për rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO, për misione të përbashkëta dhe marrëveshje tjera që do të hapin fusha të reja të bashkëpunimit. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?