Mediat e huaja raportojnë për zgjedhjet, ”të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”

Qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote, sot nga ora 07:00 janë duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar për zgjedhjet parlamentare.
Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Kosovë është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare.
“The Guardian” ka shkruar për ndikimin që kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën.
E përditshmja britanike ka shkruar se “Kosova po voton teksa hija e Trumpit shkakton brenga”. Ajo ka shkruar se frika e ndarjes, që ishte ngritur gjatë administratës së parë të Trumpit, është rikthyer.
“The Guardian” thekson se Kosova shkon në zgjedhje të cilat mund të shënojnë një udhëkryq në historinë e vendit. Madje, sipas saj, të përcaktojë integritetin e ardhshëm territorial në një botë gjithnjë e më armiqësore.
Agjencia e lajmeve, Associated Press, ka shkruar se “Kosova voton për parlamentin e ri, teksa ndihma e huaj po pakësohet dhe bisedimet me Serbinë kanë ngecur”.
Kjo agjenci lajmesh ka raportuar edhe për zotimet që kanë dhënë partitë kryesore në këto zgjedhje.
“France24” raporton se Kosova voton në zgjedhjet parlamentare “të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”.
Sipas këtij mediumi, këto zgjedhje mund të përcaktojnë se kush do të udhëheqë palën kosovare në negociatat me Serbinë, të cilat ngecën vitin e kaluar.
Televizioni “Al-Jazeera”, në uebfaqen në gjuhën angleze ka shkruar se zgjedhjet parlamentare si “referendum për kryeministrin Albin Kurti”.
“Zgjedhjet do të përcaktojnë kush do t’u prijë bisedimeve të ngecura të normalizimit të Kosovës me Serbinë fqinje”, shkruan “Al-Jazeera” në nëntitullin e shkrimit.
Në shkrim thuhet gjithashtu se ekonomia dhe lufta ndaj korrupsionit ishin dy tema tjera të rëndësishme që janë trajtuar gjatë fushatës zgjedhore.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?