Kaloni te përmbajtja kryesore

“Më erdhën në ora 23:30 në dhomë” – Nëna thotë se u vu nën presion pas publikimit të fotove nga Pediatria

Aulona Mehmeti, nëna e një fëmije që po trajtohet në Pediatrinë e QKUK-së, mbrëmë përmes një statusi në Facebook ka treguar kushtet e rënda me të cilat po përballet në këtë klinikë.

Derisa sot, ka reaguar sërish duke thënë që pas këtij statusi kanë filluar presionet mbi të.

“Pas statusit tim për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, fatkeqësisht, në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar.Mbrëmë, rreth orës 23:30 më kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoj ato që kam shkruar në status.Sot, rreth orës 10:30 më kanë vizituar prapë, me ç’rast më është thënë se ato që kam shkruar janë të pasakta dhe më është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke më thënë se duhet ta shkruaj deri në orën 11:00).”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo po ashtu ka paralajmëruar se pasi djali i saj të trajtohet do t’i ndjekë procedurat përkatëse.

“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse.

Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy.

Nuk besoj se duhet të ndihem nën presion, brenda dhomës ku po kujdesem për fëmijën tim, vetëm sepse kam ushtruar të drejtën time për të folur publikisht për atë që kam parë dhe përjetuar.

Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim i yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu.

Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë.”, ka përfunduar ajo./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button