Mbyllja e qendrave për punë sociale në veri, qeveria të veprojë në koordinim me aleatë

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të koordinohet me aleatë ndërkombëtarë sa i përket veprimeve në veri të Kosovës. Një ditë pas reagimit të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, kundër mbylljes së katër objekteve të qendrës serbe për punë sociale në veri, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ekzekutivi duhet të jetë më i kujdesshëm dhe mos të thellojë dëmtimin e raporteve me aleatë, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një intervistë për RTV21 tha se vendimi për bastisjen dhe mbylljen e qendrave për punë sociale në veri është ndërmarrë me urdhër të Gjyaktës.
“Më 8 shkurt ka pasë një veprim nga ana jonë në qendrën për punë sociale në Zubin Potok ku ka pasë ndikim në votues. Policia ka ndërmarr veprime për detyrim, udhëzim kanosje, kërcënim për atë rast dhe gjatë hetimit të atij rasti kemi ardhur në përfundim që aty ka dokumenta që lëshohe në mënyrë të kundërligjshme ose në jo në kuadër të ligjeve të Kosovës. E kemi njoftuar Prokurorinë me te gjeturat tona, Prokuroria ka përkrahur idenë tonë që ne të bëjmë bastisjen dhe me urdhër të gjykatës kemi hy në bastisje”, tha ai, duke shtuar se EULEX ka qenë aty por që Policia i zbaton urdhërat e Gjykatës.
Ai për RTV21 e tregoi edhe një rast interesant që kishin hasur gjatë bastisjeve nëpër këto qendra.
“Ajo që ka qenë interesante është që në këto qendra një person e ka pasë një kompjuter e ke pasë sistemin e Serbisë dhe sistemin e Kosovës, tash ke shku me kry një sherbim dhe në atë kompjuter varet çfarë sherbimi ke kërku. Ne kemi këtu aq shumë institucione paralele që duket se institucion paralel kishim qenë ne, dhe jo Serbia. Këtu në fakt kemi të bëjmë me Serbi komplet me institucione të Serbisë, shumicën i kemi mbyllë na kanë mbetë edhe disa”, tha ai,
Tutje Elshani tha se situata e sigurisë në veri është e qetë, por delikate.
“Situata e sigurisë është e qetë, vazhdon të jete delikate mirëpo është e qetë. Ne e kemi detyrën tonë që me rujt rendin dhe qetësinë publike. Jemi këtu në shërbim dhe me i mbrojët qytetarët e veriut të vendit por nuk tolerojmë ndonjë protest të dhunshme ose me pasë bllokada të rrugëve, nuk shohim ndonjë problem. Në rast se ka ndonjë problem ne jemi për të reaguar”, tha Elshani për RTV21.
Në anën tjetër, në ekzekutiv nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, në lidhje me reagimin e ShBA-së dhe BE-së, kundër mbylljes së objekteve të qendrës serbe për punë sociale.
Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb për shkak të dyshimit, siç është thënë se aty janë kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor.
Në lidhje me këtë vendim, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, tha se i njëjti ndikon negativisht në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Ndërkaq, në Bashkimin Evropian kërkuan që statusi i këtyre strukturave të diskutohet në dialogun e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.
Për të shmangur thellimin e dëmtimeve të raporteve me aleatë, politologu, Albinot Maloku, tha se qeveria duhet të punojë më shumë në mënyrën sesi po vepron në pjesën veriore të vendit.
Sipas tij, megjithëse vendimi për mbylljen e këtyre qendrave paralele serbe në veri, është i drejtë dhe ligjor, i njëjti duhet të merret në koordinim me aleatë.
“Askush s’po e konteston veprimin si të tillë në kuptimin a është i mirë apo keq dhe a është në përputhje me ligjin. Mirëpo po kontestohet mënyra dhe në këtë rrafsh konsideroj se qeveria e Kosovës do të duhej të merrej më shumë se ku është problemi tek mënyra. Nëse kërkohet alternativë për të qenë ndihmues për qytetarin serb të Kosovës atëherë faktori ndërkombëtarë e ka të drejtën. Republika e Kosovës si shtet multi-etnik e ka obligimin thelbësor për të gjithë qytetarët. Në këtë rast edhe pakicat kombëtare pavarësisht veprimeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës…. Për këtë arsye qeveria e Kosovës dhe secili politikanë duhet të bëjë kujdesin maksimal sidomos në këto ndryshimet e ashpra dhe të shpejta që po ndodhin pas ardhjes së administratës Trump”, thekson Maloku.
Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se qeveria Kurti po vepron me populizëm në pjesën veriore të vendit. Ai deklaron se përmes vendimeve të tilla për mbylljen e strukturave paralele serbe, pa koordinim me aleatë, po thellohet hendeku me partnerët kyç të Kosovës.
“Për fat të keq jemi në një politik të telenovelave turke që s’po përfundojnë asnjëherë. Nëse kanë mbetur institucione paralele do të duheshin të mbylleshin brenda 24 orëve dhe jo të marrim goditje pas goditje. Kjo është një goditje shumë e gabuar që e ka ndjekur qeveria e Kosovës… Unë e shoh më shumë si thellim të dëmtimit të raporteve. Raportet veçse janë të dëmtuara pasi jemi nën sanksione dhe kështu me radh. Ky është një thellimi dëmtimit, sikurse po dëshirojmë të kacafytemi me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në. Duke parë fotografinë e politikës globale dhe administratën e re në ShBA ne sikurse po dëshirojmë të kemi një fërkim me më të fuqishmin. Nuk po na mjaftojnë këto probleme lokale por po dëshirojmë të shkojmë më tutje. Kjo është jo serioze”, deklaron Arifi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian edhe më herët kanë reaguar kundër veprimeve siç i kanë quajtur të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, si për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb. /kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?