Kaloni te përmbajtja kryesore

​Mbreti Charles e Princi Harry u takuan për herë të parë në më shumë se një vit

Princi Harry dhe babai i tij, Charles III u takuan për një çaj privat në rezidencën private të mbretit, për herë të parë qe 19 muaj, konfirmuan zyrtarët e Pallatit Buckingham.

Marrëdhënia midis Harry dhe Charles është tensionuar që kur ai dhe gruaja e tij, Meghan Markle, hoqën dorë nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe u zhvendosën në Kaliforni për të nisur disa sipërmarrje mediatike dhe punë bamirësie.

Spekulimet se Harry dhe Charles do të takoheshin ishin të shumta edhe para se ai të shihej duke dalë nga një veturë në rezidencën mbretërore, Clarence House, të mërkurën në mbrëmje.

Vetura që e solli atë u pa duke u larguar më pak se një orë më vonë. Harry ishte brenda Range Rover ndërsa ai po largohej, raporton Sky News.

Harry (40), aktualisht ndodhet në Britani për Çmimet WellChild, një organizatë bamirësie që ai e mbështet për fëmijët e sëmurë rëndë dhe kujdestarët e tyre, raporton KosovaPress.

Ndalesa e tij e parë të hënën ishte te varri i gjyshes së tij në Windsor për të vendosur lule në vendin e fundit të prehjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Kujtojmë, Princi Harry në muajin maj tha për BBC se babai i tij nuk do të fliste me të “për shkak të gjërave të sigurisë”.

Ai tha se mezi priste të pajtohej me familjen mbretërore dhe “nuk ka kuptim të vazhdosh të luftosh me njerëzit”.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button