“Mandatin që na pret”, Kurti zotohet për investime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është mburrur për punën e ekzekutivit gjatë mandatit katërvjeçar.
Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se kanë arritur “rezultate të jashtëzakonshme”, përkundër siç shtoi pandemisë, inflacionit pas luftës në Ukrainë, tendencave për destabilizim nga ana e Serbisë dhe “pengesës së opozitës që përmes Gjykatës Kushtetuese t’i pengojë reformat”.
“Në ballafaqim me pandeminë, përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. [përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese pas ankesave opozitare në Gjykatë Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra përfshirë edhe atë të çmimeve tavan të produkteve bazike, e pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim. E përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, tha Kurti.
Kreu qeveritar duke numëruar sukseset që sipas tij kanë ndodhur, tha se kanë përmirësuar shëndetësinë publike, derisa sipas tij se kanë ulur varfërinë dhe papunësinë në vend.
“Shëndetësia publike në Kosovë është bërë më e mirë, më e lirë dhe më shumë shërbimeve i kemi. Shumicën prej klinikave i kemi transformuar dhe shumë prej shërbimeve jetike për qytetarë janë bërë pa pagesë dhe shumica tjetër me çmime të përballueshme. Mandatin që na pret dhe ne po e presim do të vazhdojmë investimet spital pas spitali, ku do të ndërtojmë dy spitale të reja. Për herë të parë gjithashtu pas një kohe të gjatë kemi rritje të pensioneve, të cilat janë rritur për 20 për qind. Përveç rritjes së rregullt të gjithë pensionistët kanë marrë shtesa prej 100 euro pesë herë. Tre herë i kemi rritur pagat në sektorin publik, ndërkaq pagën minimale në sektorin privat dy herë. Varfëria është ulur nga 25.5 për qind në vitin 2021, në 19.2 për qind në vitin 2024 sipas Bankës Botërore. Papunësia është ulur nga më shumë se 25 për qind në më pak se 11 për qind”, shtoi Kurti.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, ai tha se kanë shtrirë sovranitetin dhe ligjshmërinë në katër komunat në veri.
Sipas tij, për herë të parë që nga paslufta e kanë vënë në qeverisje veriun e Kosovës.
“Për herë të parë në katër komunat në veri po paguhet energjia elektrike, po faturohet tatimi në pronë. Tabela ilegale dhe patentë ilegal s’ka më se janë konvertuar në ato RKS. Strukturat ilegale janë mbyllur se janë të jashtëligjshme, atje tani ka institucione të Republikës që i shërbejnë qytetarëve pa dallim dhe biznese që regjistrohen në ARBK. Me vendosmërinë e ligjit për herë të parë që nga paslufta e kemi vënë në qeverisje veriun e Kosovës”, theksoi Kurti.
Krahas kësaj, Kurti tha se kanë rritur buxhetin për ushtri, derisa u zotua se në “mandatin e ardhshëm” do të investojnë mbi 1 miliard euro për FSK-në.
Fundjavën e kaluar, qeveria Kurti ka bërë katër vjet që nga votimi në Kuvend më 22 mars 2021.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet e rregullta më 9 shkurt por ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve përfundimtare.
Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, më pas Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nismën Socialdemokrate.
Bazuar në këto rezultate, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?