Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dërgohet në Kushtetuese edhe nga LDK-ja

(Lajm i përditësuar)
Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dërgohet në Kushtetuese edhe nga LDK-ja
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kështu ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili ka thënë se ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore.
“Ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore. Drejtësia kushtetuese është shtylla e garantimit të sistemit demokratik, dhe kjo thirrje për një vlerësim të thelluar është hapi i parë drejt sigurisë së mëtejshme të demokracisë sonë. Ne duhet të ruajmë integritetin e Kushtetutës dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe transparente”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
11:30- PDK dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit nr. 08/L – 180 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 06/L-48 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se PDK e ka kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli, ku Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetutes të këtij institucioni.
“Fatkeqësisht, ky ligj, i miratuar javën e kaluar, i shkelë edhe ato përcaktime që ka bërë Gjykata. Prandaj, sot i kemi kontestuar edhe këto ndryshime. Këto veprime të Qeverisë kanë vetëm një qëllim, ta nënshtrojnë dhe ta kapin Këshillin e Pavarur për Shërbyesit Civil, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që nuk i ndalon dhe i përkrah punësimet familjare të qeveritarëve të Kosovës”, ka thënë Gruda.
Ai ka thënë se Qeveria dëshiron ta zhvesh këtë organ nga kompetencat kushtetuese në një rrugë jokushtetuese.
“Unë mendoj që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës. PDK nuk do të ndalet në këtë drejtim”, ka thënë Gruda.
Avokati Faton Fetahu ka thënë se janë të paktën katër shkelje të këtij ligji të cilat PDK i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.
“E para, pushteti zgjodhi që të propozojë zhveshjen nga imuniteti të të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Imuniteti është instrument kushtetutes që ua garanton Kushtetuta. E dyta, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e Këshillit pozitat e nivelit të lartë drejtues. Janë mijëra pozita të tilla që përjashtohen nga kontrolli – në mënyrë që të mundësohet kapja dhe nënshtrimi i institucioneve përmes veprimeve të shpejta. E treta, është rritja absurde e anëtarëve të këtij Këshilli, nga shtatë në pesëmbdhjetë. Kjo rritje e numrit ka për qëllim të dërgojë militantët partiak në këtë Këshill, që të kenë mbivotim në çështjet që ata dëshirojnë. Dhe, po ashtu, e katërta, është propozimi për pezullimin e vendimeve të Këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga Qeveria në Gjykatë. Vendimet e Këshillit gjithmonë zbatohen, pavarësisht nëse lënda shkon në Gjykatë”, ka thënë Fetahu.
08:27 -PDK-ja e çon sot një lëndë në Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i drejtohet sot sërish Gjykatës Kushtetuese. Në njoftimin drejtuar mediave nga kjo parti, thuhet se zyrtarë të PDK nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Kushtetuese.
Se për çfarë lënde bëhet fjalë, nuk janë dhënë detaje. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media.
“Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nesër (e premte), nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media”, thuhet në njoftim.
PDK në njoftim për media mbrëmë rreth takimit të strukturave të saj partiake ka bërë me dije se “në takim u diskutua edhe për mosdekretimin e Kryeprokurorit të shtetit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani – Sadriu, vendim të cilin po e shqyrtojnë eskpertët ligjor të PDK-së, të cilët me kohë do të propozojnë veprimet për trajtimin e kësaj çështje”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?