Lideri i Hamasit fajëson SHBA-në për sulmin në spitalin në Gaza

(Lajm i përditësuar)
Lideri i Hamasit fajëson SHBA-në për sulmin në spitalin në Gaza
“Masakra në spital konfirmon brutalitetin e armikut”, ka thënë Haniyeh në një adresim televiziv.
Ai u ka bërë thirrje gjithë palestinezëve “të dalin dhe të përballen me pushtuesit” dhe u ka bërë thirrje arabëve e myslimanëve të organizojnë protesta kundër Izraelit.
Qindra të vrarë nga një sulm në një spital në Gazë, Izraeli e mohon përfshirjen
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).
Izraeli i ka mohuar pretendimet se e ka bombarduar spitalin.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.
Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e ka anuluar një takim të planifikuar për të mërkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Aman të Jordanisë.
“Presidenti është shumë i zemëruar me lajmin për masakrën izraelite në spital në Gazë, dhe ai vendosi të kthehet menjëherë në Ramallah”, tha një zyrtar palestinez.
Ushtria e Izraelit tha të martën vonë se “të dhënat e inteligjencës tregojnë se grupi xhihadist palestinez është përgjegjës për sulmin ndaj spitalit”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi sulmin ndaj spitalit në jug të Rripit të Gazës të martën, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.
“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab”, tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.
Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi sulmin ndaj spitalit si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.
“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.
Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.
Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.
Zyrtarët amerikanë janë duke punuar për ta bindur Izraelit të lejojnë furnizimin brenda Gazës për civilët, grupet humanitare dhe spitalet.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?