LDK i del në mbrojtje Zemajt: Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i saj, Armend Zemaj, është përballur me ofendime verbale nga një qytetar.
Në reagimin për media, LDK e ka cilësuar këtë akt si “të papranueshëm” dhe si “cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit dhe ndaj integritetit të institucioneve demokratike të vendit.”
“Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot rreth orës 15:00 në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë ka ndodhur një incident fizik.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana për portalin rtv21.tv ka thënë se deputeti Zemaj dhe qytetari janë duke u intervistuar në polici për rastin.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?