Lajçak: 24 shtatori s’e ndryshon faktin se palët kanë hyrë në marrëveshje për normalizim

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Lajçak përmes një postimi në Facebook ka thënë se temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës.
“Ne nënvizuam me të dy liderët se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?