Kurtit s’i pëlqen pyetja pse vajza e tij nuk shkollohet në Kosovë

Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, s’i ka pëlqyer një pyetje që ia bënë gazetarët gjatë përurimit të një çerdheje në Orllan të Podujevës.
Kurti u pyet aty se pse s’po e shkollon edhe vajzën e tij në Kosovë derisa po lavdëronte punën e tij në arsim.
“Në vazhdimësi po përkrahni projekte në arsim, a s’janë këto të mjaftueshme që edhe vajza juaj të shkollohet në Kosovë?”, ishte pyetja e gazetares së Klan Kosovës.
“Unë po ju falënderoj shumë që po i ndiqni këto investime që po i bëjmë ne këtu, dhe natyrisht që unë kujdesem për të gjithë fëmijët e Kosovës dhe po bëjmë atë që s’ka bërë asnjë qeveri para neve. Madje, të gjitha qeveritë marrë së bashku nuk mund të krahasohen me numrin e çerdheve që kemi hapur ne. Katër çerdhe për 18 vjet në njërën anë dhe në anën tjetër i kemi për vetëm katër vjet 65 çerdhe ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër”, tha Kurti.
Ndërkaq, ai iu hakmor asaj menjëherë.
“Sa i përket televizionit tuaj, besoj që ju duhet t’u thoni pronarëve që t’ia ktheni 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti teksa flet për ndërtimin e çerdheve.
Por pjesa e pyetjes së gazetares është këputur.
Kurti ka një vajzë me bashkëshorten e tij norvegjeze, Rita Augestad Knudsen.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?