Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Qeveria e përkushtuar për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të egjiptianëve

 
Kryeministri Albin Kurti është zotuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian në vend.
Ai këto komente i bëri sot në konferencën me temën “Drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta”, organizuar me rastin e 24 Qershorit-Ditës Memoriale të komunitetit egjiptian nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala.
Duke uruar komunitetin egjiptian, Kurti, tha se ky komunitet ndër vite jeton në këto troje dhe së bashku me popullsinë shumicë ndau fatin e mirë e të keq edhe për shkak të afërsisë kulturore e gjuhësore.
“Vetëm gjatë viteve ’90, edhe nxënësit e komunitetit egjiptian ishin përzënë nga shkollat, shumë punëtorë ishin përjashtuar nga puna për shkak të solidarizimit në grevat e organizuara nga sindikatat, ndërsa gjatë viteve të luftës, ’98-’99, kishin viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se organizimi politik i komunitetit egjiptian gjatë dy dekadave të fundit, ishte kontribut-dhënës për shtetësinë e Kosovës dhe pa dyshim se komuniteti si në të kaluarën edhe sot për Kosovën, kultivon dashurinë për atdheun e tyre.
“Ne synojmë ta zbatojmë në plotni Ligjin për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve”, tha kryeministri.
Në konferencën ku u diskutuan temat e gjithëpërfshirjes së komunitetit egjiptian në punësim, edukim, trajtim të barabartë, jo diskriminim, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deputetja Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesja nga shoqëria civile Diana Shaka dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe nga komuniteti egjiptian.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button