Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti mirëpret rezolutën e PE-së: Serbisë iu kërkua të ndalojë së mbështeturi organizatat terroriste

(Lajm i përditësuar)


Kurti mirëpret rezolutën e PE-së: Serbisë iu kërkua të ndalojë së mbështeturi organizatat terroriste

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti votimin në Parlamentin Evropian, të rezolutës që dënon aktin terrorist të Serbisë më 24 shtator në Kosovë.

Sipas Kurtit rezolutë i kërkon Serbisë që të ndalojë së mbështeturi organizatat terroriste dhe t’i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën.

“E mirëpresim rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian. Ndër masat e tjera, Parlamenti Evropian bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative dhe paraushtarake përgjatë kufirit”, ka shkruar Kurti në platformën X.


Bislimi: Rezoluta e PE-së e dënon sulmin terrorist të Serbisë dhe bën thirrje për vënien e masave kufizuese

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka mirëpritur rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian.
Bislimi përmes një postimi në platforën X ka thënë se kjo rezolutë ndërtjarsh bën thirrje për masa kufizuese ndaj Serbisë.

“Unë e mirëpres rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian, e cili ndër të tjera dënon sulmin terrorist të Serbisë dhe bën thirrje për miratimin e masave kufizuese. Ai gjithashtu thekson njohjen reciproke si një parim dhe një qasje të balancuar në procesin e dialogut.”, ka shkruar Bislimi.


Çka përmban rezoluta e PE-së e cila u miratua sot?

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës n

“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, dhe iu  bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.

PE- përmes kësaj resolute iu bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

“Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e rezolutës të votuar nga deputetët evropianë.

Gjithashtu i bëhet thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.

“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë.

Përmes kësaj rezolute po ashtu bëhet ftesë për një rol më pro-aktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur më herët gjatë vitit – përderisa shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet që të ketë dialog me serbët në Kosovës dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhje të reja lokale në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.

“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkohet nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.

“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekst.


Parlamenti Evropian miraton rezolutën për sulmin në Banjskë

Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.

​Agresioni ndaj Kosovës, PE pritet të miratojë sot rezolutë të posaçme

Parlamenti Evropian do të miratojë të enjten një rezolutë të posaçme për aktin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Sipas Rel-it, rezoluta do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet më 19 tetor gjatë seancës plenare të PE-së.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në Komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej sulmuesve u vranë.

Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button