Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Mbi 5 milionë euro armatim në veri, të ekstradohen ata që ikën tinëzisht malit

Kryeministri, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua bashkë partiakëve të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt sot (30 shtator) në Prishtinë. Para të pranishmëve, ai tha se kanë gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se është e qartë që e gjithë mbështetje logjistike, në armatim e trajnim ishte nga Serbia.

“Kemi gjetur armatim në vlerë më shumë se 5 milionë euro dhe sasitë e armatimit për qindra luftëtarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak e trajnimet luftarake, municione dhe pajisje të tjera, direktiva politike e strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike të gjitha vinin nga Serbia. Kësisoj prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri u qartësua e u vërtetua për të gjithë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri u shpreh se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në pjesën veriore të vendit tonë, ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.

Kurti duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar dhe plagosur asnjë civil.

Për shtetin serb ka kërkuar që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.

“Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere dhe aleate, ashtu si ne tashmë bëmë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës para 3 muajsh”, vijoi Kurti.


Kurti: Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, duke shtuar se zotimi ka lënë vakum në pjesën veriore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tash i burgosur në Hagë si i dyshuar për krime lufte, në vitin 2013 ishte zotuar që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.

Por, Kurti ka vlerësuar se ky zotim ka lënë vakum në veriun e Kosovës, prandaj siç thotë ai, po shtojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtar dhe ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se faktet tashmë dëshmojnë që Serbia sponsorizon terrorizmin në veri.

“Prej të dielës asgjë nuk është e njëjtë. Faktet dolën në shesh dhe që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua. U faktua se janë në krye të këtij organizimi njerëzit që janë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe të afërt me Vuçiqin. Dokumentet e municionet që u gjetën dëshmuan vulën e shtetit serb që treguan origjinën e këtij sulmi”, ka shtuar Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që t’i shpallin terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriu”, vendim të cilin e kishte marrë Qeveria e Kosovës në qershor. Ka shtuar se “ata që kanë ikur tinëz malit në Serbi gjatë sulmit” duhet të ekstradohen sa më parë në Kosovë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button