Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Instituti i Kosovës për Krime Lufte punon për të gjitha krimet e kryera nga Serbia për 125 vjet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar sot Institutin e Kosovës për Krimet e Luftës në dyvjetorin e themelimit.

Ai me këtë rast nga është njohur me punën që po kryen ky institucion i rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të luftës ndaj popullatës shqiptare nga Serbia.

Kurti tha se Instituti për Krimet e Luftës po bën një punë të mirë në faktimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Pardje IKKL-ja i ka mbushur dy vjet dhe është mbresëlënëse sa angazhim janë bërë në këtë institut. Kur kanë ardhur para një viti, me rastin e vitit të parë të punës. Vitin e kaluar kanë qenë 23 të punësuar, ndërsa tani janë 39. Ka një rritje të materialit arkivor, më parë kanë qenë më pak se 190 metra folder me materiale arkivore, ndërsa tani janë më shumë se 400 metra. Ndërkaq, materiali digjital arkivor i ka tejkaluar shifrën prej 20 terabajt. Ky institut është vendimtar për institucionalizimin e kujtesës kolektive dhe për zbardhjen e plotë të së vërtetës historike. Kur kam qenë para një viti ka qenë vetëm një zyrë, ndërsa tash janë edhe gjashtë zyra rajonale. Vlen të përmendet nga 67 burime të evidentuara, tash i kanë 650 burime nga 14 shtete. Po bëhet punë gjigante”, ka thënë Kurti.

Ai tha se dëmet e shkaktuara nga Serbia nuk janë vetëm një njerëz, por edhe në trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Një ndër faktorët e shtimit të punës së gjykimit të kriminelëve nga Serbia që kanë bërë në Kosovë vrasje e masakra, është pikërisht edhe IKKL-ja. Këtu mund ta gjeni arkivin e gjenocidit të Serbisë, dokumentimin gjigant të spastrimit etnik, shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut, dhe pasojat e humbjeve që ka pasur populli ynë nga lufta jonë, ku dëmet nuk janë në vetëm në njerëz, por edhe në trashëgiminë tonë kulturore”, tha Kurti.

Kurti tha IKKL-ja duhet ta zgjerojë aktivitetin dhe përshpejtojë punën në dokumentin e krimeve të luftës së Serbisë ndaj popullsisë shqiptare.

“Nuk ka dyshim që vrasja e fëmijëve nga Serbia, e që përbën më shumë se dhjetë për qind të vrasjes së civilëve, së bashku me vrasjen e grave shtatzëna dhe vrasjen e pleqve janë dëshmi e gjencoditi të Serbisë në Kosovë që kanë tentuar atë kohë ta kenë territorin tonë, por pa neve si njerëz, pra kanë synuar shfarosjen…Ky nuk është gjenocidi që ka bërë Serbia në Kosovë, por ky është gjenocidi i fundit, por ky është gjenocidi i katërt. Gjenocidi i parë është në vitet 1875-1880, te paqja e Shën Stefanit. Ai i dyti është ai i Luftërave ballkanike në mesin e dekadës së dytë të shekullit 20, gjenocidi i tretë është në Luftën e Dytë Botërore në vitet 1943, 1945, por edhe ’46 e ‘47 dhe kjo është lufta e vitit 1998 e 1999 e ku bartëse e çlirimit ishte UÇK. IKKL punon për të gjitha krimet e kryera nga Serbia për 125 vjet sa ajo me forcat e saj vriste civil e popullsi të pafajshme”, ka thënë Kurti.

Atdhe Hetemi, drejtor i Instituti për Krimet e Luftës ka falënderuar kryeministrin në detyrë për vizitën e realizuar në këtë institucion për t’u njohur me punën po kryen.

“Falënderoj Qeverinë e Kosovës që kërkesat tona në vazhdimësi i ka adresuar në mënyrën e duhur dhe falënderoj mediat në dokumentimin e krimeve të luftës, që janë partner për ne…Kemi kërkesa për zgjerim të hapësirave, si për mundësi që ta rrisim stafin edhe më tej që parasheh 74 punonjës”, ka thënë Hetemi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button