Kurban Bajrami në Mekë, mbi 1.6 milionë pelegrinë kryen ritualin e madh të Haxhit

Para agimit të së premtes mbi 1.6 milionë pelegrinë filluan të hidhnin nga shtatë gurë në secilin prej tre mureve të betonit që simbolizonin djallin në luginën e Minas, në periferi të qytetit të shenjtë të Mekës, duke kryer ritualin e fundit të Haxhit para festimeve për Kurban Bajramin.
Pelegrinët e Haxhit në Mekë kryen namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe, që është pika qendrore e fesë islamike. Mijëra besimtarë myslimanë morën pjesë në lutjet e Kurban Bajramit jashtë xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.
Palestinezët falën namazin e Kurban Bajramit mes rrënojave të Xhamisë Al-Bani, e cila u shkatërrua nga sulmet izraelite, në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Khan Yunis.
Ndërkohë Izraeli kreu sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, në prag të festës së Bajramit. duke thënë se goditi një bazë nëntokësore për prodhimin e dronëve të Hezbollahut, që mbështetet nga Irani, raporton KosovaPress.
Një ditë më parë, pelegrinët u mblodhën në malin Arafat, duke u lutur dhe duke recituar vargje kuranore në kodrën shkëmbore 70 metra të lartë pranë Mekës, ku besohet se Profeti Muhamed ka mbajtur predikimin e tij të fundit.
Në Haxhin e këtij viti, autoritetet zbatuan një sërë masash kundër temperaturave të larta, për të parandaluar përsëritjen e Haxhit të vitit të kaluar, ku humbën jetën mbi një mijë e treqind persona për shkak të të nxehtit ekstrem.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?