Kaloni te përmbajtja kryesore

Kritikave ndaj prokurorisë i bashkohet edhe ministrja Haxhiu

(lajm i përditësuar)


Kritikave ndaj prokurorisë i bashkohet edhe ministrja Haxhiu

Pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, u ankua se prokuroria nuk e ka bërë punën siç duhet për shpronësime në rrugën Kijevë-Zahaq, të njëjtën gjë tani e ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se Prokuroria Speciale nuk ka proceduar me kallëzime penale ndaj një ish-ministri të Drejtësisë, pasi sipas Haxhiut, të njëjtit kanë thënë se “nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin anipse dëmi ishte shkaktuar tashmë”.

|Njësoj kanë vepruar PSRK edhe me kallëzimin penal ndaj ish Ministrit të Drejtësisë dhe ish drejtorit të burgjeve të cilët pronën e MD ia kishin dhënë një oligarku, pa asnje bazë ligjore. PSRK pati thënë nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin anipse dëmi ishte shkaktuar tashmë”, shkroi ministrja në Facebook.


Murati fajëson prokurorin që nuk hetoi rastin me shpronësime në rrugën Kijevë-Zahaq

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka shkruar se këtë muaj bëhen dy vite prejse ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale, për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Murati ka shkruar në Facebook se kallëzimit penal ia kishte bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro.

“Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë. Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhepse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019. Dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro. Pra rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj. Për më tepër, rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar. Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale. Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur. Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale? E hedh poshtë kallëzimin penal. Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi. Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni”, ka shkruar ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button