Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: E ndjeva të gjallë bindjen se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim prej gati pesë vitesh. Ai tha se procesi ndaj tyre është i tejzgjatur dhe i padrejtë, por se ata mbeten të bindur se “drejtësia për çlirimtarët po afrohet”.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Thaçi dhe Veseli mbajnë mbi supe vetëm atë që populli u kërkoi – luftën për liri – dhe kjo nuk është as mëkat, as faj.
“Ata janë mirë, optimistë dhe dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush”, shkroi ai në Facebook.
Kreu i PDK-së theksoi se dy ish-udhëheqësit janë të lidhur ngushtë me Kosovën, gëzohen për lajmet e mira dhe ndajnë dhimbjen kur vendi përballet me vështirësi, duke besuar në një të ardhme më të ndritur të ndërtuar me punë e vizion.
“Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi. Në fjalët e Presidentit Thaçi: Dielli do të lind përsëri”, ka shkruar ndër tjera Krasniqi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?