Kaloni te përmbajtja kryesore

Krasniqi në disa familje për festën e krishtlindjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot në festën e krishtlindjes disa familje shqiptare të besimit të krishterë ku është mirëpritur për të festuar së bashku.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se ka qëndruar tek familjet e Edi Markut në Dardani, Rrok Lulit në Dujakë dhe Anton Nikollbibajt në Brekoc të Gjakovës, si dhe të Pjetër Përlazrit në Velezhë dhe Mario Palucës në Trepeticë të Prizrenit.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – e posaçërisht gjatë festave! Ngrohtësia e vatrave të zjarrit, dritat vezulluese që zbukuronin pemët e dekoruara bukur dhe meloditë e ëmbla të këngëve tona që kumbonin nëpër çdo shtëpi ku isha sot mysafir, i bënë vizitat e mia me rastin e Krishtlindjes vërtetë magjike”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së u ka shprehur mirënjohje secilës familje që hapi sot dyert dhe zemrat e tyre për ta mirëpritur në këtë festë të veçantë.

“Bujaria, mikpritja dhe miqësia juaj më kanë lumturuar shumë, andaj ju jam shumë mirënjohës për kujtimet e bukura që krijuam së bashku. Fryma e kësaj feste le të vazhdojë të shkëlqejë në jetën tuaj, duke përhapur përgjithmonë vetëm dashuri, paqe dhe mbarësi! Për shumë mot Krishtlindjen!”, tha Krasniqi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button