Krasniqi: Çdo deputet që mungon në seancë duhet t’i hiqet meditja dhe t’i publikohet emri

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” thotë se deputetët që mungojnë nëpër seanca duhet të “ndëshkohen” në disa forma. Krasniqi gjatë debatit në “Click” në RTV21 tha se duhet të ndërrojë mënyra e kompensimit.
“Kompensimi të jetë heqje nga mospjesëmarrja, çdo dështim i deputetit në krye të detyrës të jetë zbritje prej kësaj page të cilën ata e marrin”, tha ai.
Krasniqi tutje përmendi edhe një mënyrë tjetër të ndëshkimit të deputetëve të cilët nuk marrin pjesë në seanca.
“Publikimi i emrave, të gjithë ata deputetë sot të cilët nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë le t’i publikojë emrat Kuvendi. Mos t’i futim të gjithë në një thes. Deputetët të cilët kanë qenë aty kanë pritë për më shumë se një orë për me fillu seanca, nuk kanë mujt pse kolegët e tyre nuk kanë marrë pjesë. T’i publikojmë, t’i shohim dhe t’i gjykojmë këta persona publikisht të cilët nuk po marrin pjesë në seanca. Dhe të jetë edhe regjistri cili deputet sa po mungon. Ne kur kemi bërë monitorimin i kemi pasë këto statistika, nuk janë 5-6 deputetë të cilët kanë marrë pjesë ne seanca 100%”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Krasniqi tha se duhet të jetë më pak fleksibilitet për mungesën prej 6 muajve.
“Me ligje parashihet që 6 muaj pa arsye mund të mungojë deputeti dhe për këtë nuk e humb mandatin prapë vendos kuvendi mund t’ia falë dhe ta tolerojë. Gjatë gjithë mandatit prej 4 vjetësh mundësh 8 herë me marrë pjesë dhe me marrë rrogë për 4 vite të plota”, tha ai.
Sot sërish nuk pati kuorum që të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës. E, për këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se legjislatura aktuale nuk e meriton të vazhdojë, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?