Kaloni te përmbajtja kryesore

Konjufca: Pa transparencë nuk ka demokraci

(Lajm i përditësuar)

Konjufca: Pa transparencë nuk ka demokraci

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është i rëndësishëm për ta theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse.

Ai po ashtu ka thënë se është e rëndësishme njohja e progresit demokratik të deritanishëm, që sipas tij, Kosova e ka shënuar duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia.

“Kjo ditë është e caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe ne si shtet synojmë që të jemi pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Bëjmë mirë që të jemi pjesë e këtyre standardeve, duke vepruar kështu tregojmë pjekurinë tonë shtetërore, pjekuri demokratike. Në një kohë ku në mbarë botë po merr hapësirë dezinformimi, temë globale është caktuar inteligjenca artificiale si mjet për qeverisje të mirë”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje ka shtuar se ”Demokracia mirëmbahet nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve. Pa transparencë nuk ka demokraci”.


Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë

Me moton globale “Qeverisja efektive e inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës sot shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Ceremonia e hapjes do të fillojë në orën 10:00, me pjesëmarrjen e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, drejtoreshës së lartë rezidente të NDI-së në Kosovë Nancy Soderberg, Blerta Deliu-Kodra anëtare e Forumit për Transparencë.

Me këtë rast do të organizohen disa aktivitete si Panairi i organizatave të shoqërisë civile, Kuizi i demokracisë, tryeza e diskutimit “Zgjedhjet dhe teknologjia”, Punëtoria për demokraci dhe paneli i diskutimit “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2007 për të promovuar dhe forcuar vlerat demokratike.

Qe nga fillimi i saj në vitin 2008, qindra ngjarje janë mbajtur në mbarë botën për të shënuar këtë ditë të rëndësishme. Nga konkurset e fotografive deri te punëtoritë për fëmijë, debatet e drejtpërdrejta te telefonat në radio dhe takimet me organizatat e shoqërisë civile, kreativiteti dhe entuziazmi kanë qenë frymëzues.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë i ka rrënjët në procesin e Konferencave Ndërkombëtare për Demokracitë e Reja dhe të Rivendosura (ICNRD), e cila filloi në vitin 1988 nën iniciativën e presidentit Corazon C. Aquino të Filipineve. Ky proces kishte për qëllim promovimin dhe mbështetjen e demokracive të reja dhe të rivendosura në mbarë botën.

Në vitin 1997, Unioni Ndërparlamentar (IPU) miratoi Deklaratën Universale për Demokracinë, e cila afirmon parimet e demokracisë dhe ushtrimin e saj. Kjo deklaratë shërbeu si bazë për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë është “inteligjenca artificiale si një mjet për qeverisje të mirë”, me fokus në sigurimin e qeverisjes efektive të inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar, për të shfrytëzuar përfitimet e saj duke zbutur rreziqet e saj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button