Komunikimi BE-ShBA rrit shpresat për përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur progres për normalizim marrëdhëniesh, por sipas njohësve të dialogut Kosovë-Serbisë, ky proces mund të shënojë një përparim pas komunikimit që është vendosur mes BE-së dhe ShBA-së për këtë çështje. Sipas tyre, përfshirja më intensive të administratës Trump në dialog do të ishte një shtysë për BE-në për një rezultat më të shpejtë në proces.
Komunikimi mes BE-së dhe Washingtoni për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka shtuar pritshmëritë për mundësitë e një përparimi, marrë parasysh ndikimin që ShBA-ja mund të ushtrojë tek palët.
Bashkimi Evropian së voni ka konfirmuar se është në komunikim me SHBA-në në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por pa dhënë detaje për nivelin e përfaqësimit.
Drejtori i Institutit për Lidership Civil, politologu, Argjend Zejnaj thotë se përfshirja më intensive e administratës Trump në dialog, mund të sjell një rezultat të shpejtë, të pranueshëm për të dyja vendet.
“BE kohe pas kohe e ka lëne në harresë procesin e dialogut, presionin mbi këtë proces dhe gjithmonë është parë e nevojshme koëh pas kohe një ndërhyje e ShBA-së.. është lajm mirë nëse ShBA administrata Trump vendos t’i hyjë seriozisht ndihmës në fasilitimin e dialogut në bashkëpunim me BE kjo do bënte që të arrihej një rezultat i shpejtë dhe që i cili do të mund te ishte i besueshëm për të dyja palët. Ideja është që të rritet besimi ndërmjetëm palëve Kurti për katër vjet ka shfaqur mosbesim ndaj Lajçakut…përfshirja e ShBA mund të rrit besimi e institucioneve qe të kthehen në tavolinën e negociatave dhe nisin zbatimin e obligimeve për ballë Kosovës.
Duke komentuar komunikimin BE-ShBA, drejtori i Oda Consoulting, politologu, Erblin Hoxha, thotë se përfshirja më e madhe ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi do ta shtyjë BE-në drejt përpjekjeve më të mëdha për përmbylljen e procesit.
“Ky ndryshimi i fundit e bënë një situate të re ku këto kacafytje mes BE- ShBA vendos BE-në në një pozitë që duhet të japë rezultate në dialogun Kosovë-Serbi. Evropa tashmë e ka të qartë që në këtë ndryshim të relacioneve me Amerikën ata duhet te jenë kryesoret që marrin përgjegjësinë për një normalizim të marrëdhënieve dhe kështu shoh një motiv ekstra të BE-së që këtë proces ta marr seriozisht…prandaj e shoh që duhet të ketë lëvizje dhe do të këtë lëvizje por kjo është me një pikëpyetje të madhe në vendimin që administrata Trump do ta merr sa i përket Ballkanit dhe dialogut”, tha Hoxha për RTV21.
Normalizimimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është parakusht edhe për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së.
Një ditë më parë Komisioni Evropian bëri të ditur se Kosovës dhe Serbisë nuk do t’iu ndahen të holla tani për tani në fazën e para-financimit pasi që ende nuk është bërë një vlerësim nëse dy vendet kanë plotësuar parakushtin.
Por cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse nuk arrihet përparim në dialog?
“Nëse s’arrihet përparim s’do kemi fonde do kemi izolim me tepër për Kosovën”, tha Argjend Zejnaj nga Instituti për Lidership Civil.
Gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Kosovë dhe gjatë kësaj jave në Serbi, i dërguari i BE—së për dialogun Kosovë-serbi, Peter Sorensen ka theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm dhe përparimit në Dialog derisa ka shtuar se për të, prioritet në dialog do të jetë edhe çështja e të zhdukurve./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?