Komuna reagon pas pretendimeve ndaj shefit të kabinetit të Ramës: Do të ketë masa nëse vërtetohen shkeljet

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas dyshimeve të ngritura lidhur me pretendimin për përfshirje të kryetarit Përparim Rama dhe zyrtarëve të lartë të Komunës në legalizime të kundërligjshme të objekteve.
Në një reagim të publikuar në Facebook thuhet se Komuna pret trajtimin e rastit nga Prokuroria dhe organet kompetente të drejtësisë dhe se pas vendimit të tyre do të ndërmarrë verprimet ligjore ndaj kujtdo që e ka shkelur ligjin.
Komuna në reagimin e bërë të premten e ka konfirmuar se bëhet fjalë për shefin e kabinetit të Ramës, Florent Maliqi.
“Lidhur me materialet e publikuara që përmbajnë pretendime ndaj Shefit të Kabinetit, Florent Maliqi, presim trajtimin e rastit nga Prokuroria dhe organet kompetente të drejtësisë. Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë. Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, thuhet në postimin e Komunës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?